logo

Letër Autorizimi për Punëmarrësin

Letra e Autorizimit për Punëmarrësin vërteton se një individ (Punëmarrësi) ka autoritet ligjor për të kryer veprime në emër të një shoqërie ose biznesi.

Çdo individ, partner dhe/ose punonjës i autorizuar, që kryen veprime në emër të shoqërisë duhet të bashkëngjisë Letrën e Autorizimit për Punëmarrësin.

Çfarë është Letra e Autorizimit për Punëmarrësin?

Letra e Autorizimit për Punëmarrësin është një dokument i shkruar me anë të së cilit Punëdhënësi (Autorizuesi) i delegon Punëmarrësit (të Autorizuarit) autoritetin për të kryer veprime në emër të tij ose shoqërisë.

Letra e Autorizimit mund të përdoret për t’i deleguar Punëmarrësit përgjegjësi të caktuara, në mungesën e Punëdhënësit, ose për të parashikuar situata kur një Punëmarrës mund të veprojë në emrin e Punëdhënësit ose të shoqërisë.

Çfarë duhet të përmbajë Letra e Autorizimit për Punëmarrësin?

Përmbajtja e Letrës së Autorizimit për Punëmarrësin varet nga nevojat e Autorizuesit. Përgjithësisht, një Letër Autorizimi për Punëmarrësin duhet të përmbajë:

  • Datën dhe vendin e lëshimit të dokumentit

  • Kohëzgjatjen dhe llojin veprimeve të autorizuara

  • Përshkrimin e veprimeve të lejuara

  • Nënshkrimet e palëve

A është Letra e Autorizimit për Punëmarrësin një Prokurë?

Letra e Autorizimit për Punëmarrësin është një lloj prokure e veçantë me anë të së cilës Autorizuesi lejon Punëmarrësin të kryejë veprime me karakter juridik në emër të tij ose të shoqërisë.

Çfarë veprimesh mund të kryejë Punëmarrësi duke përdorur Letrën e Autorizimit?

Veprimtaria e Punëmarrësit në cilësinë e personit të Autorizuar varet nga vullneti i Punëdhënësit (Autorizuesit), nevoja e këtij të fundit (ose shoqërisë) për kryerjen e veprimeve të caktuara dhe dispozitat ligjore që kufizojnë kryerjen e veprimeve të caktuara vetëm për Punëdhënësin (Autorizuesin).

Disa nga veprimet që mund të kryejë Punëmarrësi me anë të Letrës së Autorizimit janë:

  • Përfaqëson shoqërinë me palët e treta

  • Kryen veprimeve financiare

  • Hap llogari bankare

  • Përfundon marrëveshje me palë të treta

  • Menaxhon pasuritë e shoqërisë

Lista e mësipërme nuk ka karakter shterues, pasi palët mund të parashikojnë situata të tjera në varësi të kërkesave të tyre dhe/ ose nevojave të shoqërisë.

Për çfarë afati kohor lëshohet Letra e Autorizimit?

Kohëzgjatja e Letrës së Autorizimit vendoset që në momentin kur ajo hartohet, ose nënkuptohet nga veprimi që i Autorizuari do të kryejë. Për shembull, nëse punëdhënësi i kërkon punëmarrësit të hapi një llogari rrjedhëse në emër të shoqërisë, kuptohet që Letra e Autorizimit e lëshuar për këtë rast, do të ketë fuqi deri në momentin që përmbushet ky veprim juridik.

Në raste të tjera, Autorizuesi e parashikon në Letrën e Autorizimit kohëzgjatjen e veprimeve që mund të kryejë i Autorizuari.

Si mund të shfuqizohet Letra e Autorizimit?

Letra e Autorizimit mund të shfuqizohet në çdo kohë nga Autorizuesi dhe/ ose i Autorizuari.

Çfarë forme duhet të ketë Letra e Autorizimit?

Letra e Autorizimit duhet të ketë formë të shkruar. Për këtë lloj dokumenti, mungesa e formës nuk cënon vlefshmërinë e tij, përveç rasteve kur Letra e Autorizimit parashikon në përmbajtjen e saj kryerjen e veprimeve juridike për të cilat ligji kërkon hartimin e një Prokure me akt noterial. Këtu mund të shikoni veprimet juridike që kërkojnë depozitimin e një Prokure të përpiluar me akt noterial.

A mund të autorizohet më shumë se një Punëmarrës?

Po. Në rast se për të kryer një veprim juridik janë caktuar dy ose më shumë të Autorizuar (Punëmarrës), secili prej tyre mund ta kryejë veprimin juridik që i është caktuar, edhe pa pjesëmarrjen e të Autorizuarve (Punëmarrësve) të tjerë. Në rast se në Letër është specifikuar mënyra se si do të veprojnë të Autorizuarit, atëherë do të veprohet sipas përmbajtjes së përcaktuar.

Duhet theksuar se i Autorizuari është i detyruar të veprojë personalisht, prandaj ai nuk mund të emërojë zëvendës të tij, përveç rasteve kur:

  • Kjo gjë është lejuar nga Autorizuesi;

  • Kryerja e veprimeve duhet të bëhet jashtë territorit të rrethit ku banon i Autorizuari;

  • Caktimi i zëvendësit çmohet i nevojshëm për mbrojtjen e interesave të Autorizuesit.

I Autorizuari duhet të njoftojë menjëherë Autorizuesin për zëvendësin që ka caktuar, përndryshe ai do të mbajë përgjegjësi për veprimet e zëvendësit. Në këtë rast, zëvendësi do të jetë një Punëmarrës tjetër që ligji ja njeh tagrat e kryerjes së veprimeve për qëllime përfaqësimi.

A mund të ndryshohet Letra e Autorizimit?

Letra e Autorizimit mund të ndryshohet në çdo kohë, duke shtuar apo duke pakësuar tagrat e të Autorizuarit. Megjithatë, i duhet kushtuar vëmendje e veçantë njoftimit të të tretëve për ndryshimet e bëra. Në rast se të tretët nuk janë njoftuar për këto ndryshime, apo për mbarimin e Letrës së Autorizimit, veprimet e të Autorizuarti nuk mund t’u kundrejtohen atyre Në rast se provohet se të tretët kanë patur dijeni për ndryshimet e bëra në dokument në kohën kur është kryer veprimi juridik nga i Autorizuari, këto veprime do të kenë fuqi juridike ndaj tyre.

Cilat janë rastet kur mbaron Letra e Autorizimit?

Letra e Autorizimit mbaron kur:

  • I Autorizuari ka kryer veprimet juridike për të cilat ajo ishte dhënë;

  • Ka kaluar afati për të cilin ajo ishte dhënë;

  • Autorizuesi ose i Autorizuari kanë vdekur, ose kur njëri prej tyre ka humbur zotësinë për të vepruar;

  • Me mbarimin e personit juridik, në cilësinë Autorizuesit;

  • Autorizuesi shfuqizon prokurën ose i Autorizuari heq dorë prej saj.

Pas mbarimit të prokurës, i Autorizuari, me kërkesën e Autorizuesit duhet t’i kthejë atij Letrën e Autorizimit.

Gjenero Letrën e Autorizimit për Punëmarrësin në vetëm pesë minuta

Pasqyra


logo

Dokumente ligjore