Kontrata e Shit-Blerjes
Shitja është një proces që i sjell Shitësit përfitime ekonomike, ndërsa Blerësit - të mira materiale. Kontrata e Shit-blerjes (në vazhdim referuar si ‘Kontrata e Shitjes’) është një instrument juridik që siguron gëzimin e ligjshëm të këtyre të drejtave, për të dyja Palët (Shitësin dhe Blerësin).
Çfarë është kontrata e shitjes?
Kontrata e shitjes është një marrëveshje, me anë të së cilës Palët kalojnë pronësisë e një sendi ose një të drejte, kundrejt pagesës së çmimit.
Cila është forma e kontratës së shitjes?
Kontrata e shitjes duhet të bëhet në formë të shkruar. Kontrata e shitjes së pasurive të paluajtshme duhet të bëhet me akt noterial dhe të regjistrohet.
Çfarë elementesh duhen përfshirë në një kontratë shitje?
Identiteti i Palëve
Sendi
Përshkrimi i gjendjes/cilësive së sendit
Data e nënshkrimit të kontratës
Data e pagesës së çmimit
Data e pagesës së çmimit me këste (nëse pagesa do të kryhet me këste)
Data e dorëzimit të sendit
Çmimi i sendit
Dokumentet shoqëruese (nëse ka)
Kushtet për zgjidhjen e kontratës
Afati i njoftimit për zgjidhjen e kontratës
Cilat janë detyrimet e shitësit?
Detyrimet kryesore të Shitësit janë:
Dorëzimi i sendit
Sendi i dorëzohet Blerësit në llojin, gjendjen dhe me ato karakteristika për të cilat Palët kanë rënë dakort, sipas datës dhe vendit të përcaktuar në kontratë.
Dokumentet shoqërues
Në rast se sendi ka dokumente shoqëruese për fitimin e pronësisë, Shitësi duhet t’ja dorëzojë të gjitha dokumentet përkatëse Blerësit.
Garantimi i cilësive të sendit
Shitësi duhet të garantojë Blerësin se Sendi ruan gjendjen, sipas përshkrimit në përfundim të hartimit të kontratës. Ai duhet të dorëzojë një send mbi të cilin, asnjë palë tjetër nuk ka pretendime pronësie.
Cilat janë detyrimet e blerësit?
Detyrimet kryesore të Blerësit janë:
Pagesa e çmimit
Detyrimi kryesor i blerësit është pagesa e çmimit në datën dhe vendin e përcaktuar në kontratë.
Marrja në dorëzim e sendit
Blerësi duhet të marri të gjitha masat dhe të respektojë formalitetet e kërkuara nga kontrata, ose legjislacioni, për marrjen në dorëzim të sendit dhe kryerjen e pagimit sipas mënyrës së rënë dakort.
Shpenzimet e kontratës
Shpenzimet e kontratës së shitjes dhe shpenzimet e tjera të lidhura me të janë në ngarkim të blerësit, përveç kur Palët parashikojnë ndryshe.
Kur më duhet një kontratë shitje?
Kontrata e shitjes është një instrument i domosdoshëm ligjor për palët që kanë qëllim të hyjnë në një proces shitjeje të një sendi të luajtshëm ose të paluajtshëm.
Sende të paluajtshme:
Toka
Burimet e rrjedhjet e ujërave
Drurët
Ndërtesat
Ndërtime të tjera notuese të lidhura me tokën
Çdo gjë që është e trupëzuar në mënyrë të qëndrueshme e të vazhdueshme me tokën ose ndërtesën
Sende të luajtshme:
Të gjitha sendet e tjera, duke përfshirë edhe çdo energji tjetër natyrore, konsiderohen sende të luajtshme.
A duhet ta noterizoj kontratën e shitjes?
Kontrata e shitjes së pasurive të paluajtshme duhet të bëhet me akt noterial dhe të regjistrohet. Kontrata e shitjes së automjeteve dhe mjeteve lundruese duhet të bëhet gjithashtu me akt noterial. Kontratat e shitjes së sendeve të tjera nuk kanë nevojë të noterizohen.
A mund ta zgjidh kontratën nëse sendi ka të meta?
Qëllimi kryesor i Kontratës së Shitjes është dorëzimi i një sendi që ruan ato cilësi sipas parashikimeve në kontratë. Prandaj, Shitësi ngarkohet me përgjegjësinë e përmbushjes së këtij detyrimi.
Në rast se, Blerësi zbulon të meta te sendi, ka të drejtë që brenda 10 ditëve ta denoncojë këtë fakt te Shitësi, duke specifikuar natyrën e tyre. Megjithatë, Palët mund të përcaktojnë në kontratë një afat ndryshe nga ky parashikim ligjor.
Në raste të tjera, Blerësi mund të kërkojë heqjen ose ndreqjen e të metave, ose uljen e çmimit. Në rast se Shitësi nuk i përgjigjet asnjë prej pretendimeve të Blerësit, atëherë Blerësi ka të drejtë të kërkojë zgjidhjen e kontratës, brenda 15 ditëve. Nëse gjendet në një situatë si më sipër, afatit 10-ditor do t’i shtohet afati 15-ditor.
Shitësi gjithashtu ka të drejtë të kërkojë zgjidhjen e kontratës në rast se Blerësi nuk kryen pagesën e çmimit, ose Blerësi nuk përmbush detyrimet e tij për të paguar çmimin ose për të marrë në dorëzim sendet në afatin shtesë të caktuar nga Shitësi, ose deklaron se nuk do ta bëjë brenda këtij afati.
Shiko edhe dokumentet e tjera, si: