Statuti
Statuti është dokument ligjor që përmban informacione të rëndësishme për një shoqëri tregtare. Me anë të tij, themeluesit shprehin vullnetin e përbashkët për krijimin dhe regjistrimin e kompanisë në përputhje me kërkesat ligjore. Me ndryshimet e reja ligjore, sipërmarrësit që duan të regjistrojnë një sh.p.k. mund të depozitojnë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) vetëm Statutin e shoqërisë (pa Akt Themelimi), nëse në të kanë shprehur qartë vullnetin për të krijuar shoqërinë dhe mënyrën e funksionimit të saj.
Çfarë është Statuti?
Statuti është akti me anë të së cilit themeluesit shprehin vullnetin e tyre për krijimin e shoqërisë, formën e organizimit të saj, organet dhe mënyrën e vendimmarrjes.
A mund ta regjistroj shoqerine pa Statut?
Statuti dhe Akti i Themelimit janë dokumenta të rëndësishëm për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare. Statuti, ndryshe nga Akti i themelimit përmban më shumë informacion për veprimtarinë e shoqërisë pas momentit të themelimit, prandaj sipërmarrësit që duan të regjistrojnë një shoqëri tregtare mund të depozitojnë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) vetëm Statutin e shoqërisë (pa akt themelimi), nëse në të kanë shprehur qartë vullnetin për të krijuar shoqërinë dhe mirëpërcaktuar mënyrën e funksionimit të saj.
Çfarë duhet të përmbajë Statuti?
Palët duhet të përcaktojnë këto të dhëna në Statut:
Emrin e shoqërisë
Formën
Datën e themelimit
Të dhënat identifikuese të themeluesve
Selinë (zyrat qëndrore)
Objektin e veprimtarisë së shoqërisë, nëse është i përcaktuar
Kohëzgjatjen e veprimtarisë së shoqërisë
Të dhënat identifikuese të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e shoqërisë në lidhje me të tretët, kompetencat e përfaqësimit, si dhe kushtet e emërimit të tyre
Ekzemplarët e nënshkrimeve (nënshkrimet) të personave që përfaqësojnë shoqërinë përpara të tretëve
Njoftimin e vlerës së kapitalit themeltar të nënshkruar
Numrin e pjesëve të kapitalit themeltar të nënshkruar
Vlerën nominale të secilës pjesë
Pjesëmarrjen në kapital
Vlerën dhe llojin e kontributit të secilit ortak
Informacion nëse kapitali fillestar i nënshkruar është paguar ose jo
Çfarë e bën të vlefshëm Statutin?
Mungesa e njërit prej elementeve thelbësore në Statut shkakton pavlefshmërinë e themelimit të shoqërisë, pas regjistrimit në QKB.
A mund të refuzohet kërkesa për regjistrim?
Të dhënat në Statut duhet të plotësohen sipas kërkesave ligjore. Në rast se vërehet mos-përputhshmëri e përmbajtjes së tyre me kërkesat e ligjit në fuqi, QKB e refuzon dhe pezullon aplikimin për 21 (njëzet e një) ditë. Brenda këtij afati kohor duhen plotësuar kushtet për regjistrim.
Përse është i rëndësishëm plotësimi i të dhënave?
Plotësimi i të dhënave në Statut përbën detyrim ligjor për themeluesit. Identifikimi i tyre si subjekte të së drejtë bëhet nëpërmjet formës së tyre të organizimit, emrit tregtar, numrit unik të identifikimit dhe vendndodhjes së zyrave qëndrore.
Cilat janë format e organizimit për një shoqëri tregtare?
Shoqëritë tregtare mund të themelohen dhe regjistrohen si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (sh.p.k.), shoqëri kolektive, shoqëri komandite, shoqëri aksionere (sh.a.) dhe shoqëri të thjeshta.
Çfarë emri tregtar mund të përdor për shoqërinë?
Emri i shoqërisë është emri tregtar me të cilin identifikohet dhe ushtron veprimtarinë ekonomike shoqëria pas regjistrimit.
A mund ta rezervoj emrin përpara aplikimit për regjistrimin e shoqërisë?
Po. Legjislacioni shqiptar e lejon mundësinë e rezervimit paraprak të emrit. Aplikimi për rezervimin e emrit bëhet në sportelet e shërbimit të QKB-së, nga themeluesit ose personi i autorizuar prej tyre. Pas dorëzimit të aplikimit, QKB-ja lëshon brenda 1 (një) dite një çertifikatë për rezervimin e emrit. Rezervimi i emrit është i vlefshëm për 30 (tridhjetë) ditë kalendarike, duke nisur nga data e rezervimit.
A mund të përzgjedh një emër çfarëdo për shoqërinë?
Palët (Themeluesit) janë të lira në përzgjedhjen e emrit tregtar të shoqërisë, brenda kufizimeve ligjore. Përpara përcaktimit të emrit, apo aplikimit për rezervim të emrit, palët duhet të kontrollojnë nëse përzgjedhja e tyre bënë pjesë në listën e emrave që nuk mund të rezervohen.
Emra që nuk mund të rezervohen:
Emra të njëjtë ose të ngjashëm, të rezervuar tashmë
Emra të njëjtë, ose të ngjashëm me biznese të regjistruara
Emra të njëjtë ose të ngjashëm me emra në trajtën e shquar apo akronimet përkatëse të: shteteve, qyteteve, krahinave gjeografike, organizatave ndërkombëtare, fetare apo institucioneve të pushtetit qendror a vendor
Emra që janë në kundërshtim me rendin dhe moralin publik apo me dispozitat e ligjit
Çfarë rëndësie ka përcaktimi i zyrave qëndrore?
Veprimtaria e shoqërive tregtare me zyrë qëndrore në territorin e Republikës së Shqipërisë, rregullohet nga legjislacioni shqiptar.
Si ti përcaktoj zyrat qëndrore?
Zyra qendrore e shoqërisë tregtare është vendi, ku zhvillohet veprimtaria tregtare e shoqërisë.
Si ti përcaktoj zyrat qëndrore nëse shoqëria ka disa zyra?
Në rast se shoqëria ka disa zyra, zyra qëndrore e saj do të jetë vendi ku zhvillohet pjesa kryesore e veprimtarisë tregtare. I njëjti rregull aplikohet edhe nëse nuk është përcaktuar në Statut vendndodhja e zyrave qëndrore.
A duhet përcaktuar objekti i shoqërisë?
Shoqëria tregtare mund të ushtrojë çdo veprimtari ekonomike e cila nuk ndalohet me ligj. Nëse objekti i veprimtarisë ekonomike të shoqërisë nuk mund të përcaktohet në mënyrë eksplicite, themeluesit duhet ta përcaktojnë atë në formularin e aplikimit si "objekt i përgjithshëm".
Kur duhet regjistruar shoqëria në Qendrën Kombëtare të Biznesit?
Shoqëritë tregtare duhet të regjistrohen në QKB brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e themelimit, por, në çdo rast, përpara datës së nisjes efektive të veprimtarisë. Pas regjistrimit, këto subjekte fitojnë personalitet juridik.
Sa është kapitali minimal që duhet të kem për regjistrimin e kompanisë si sh.p.k.?
Kapitali minimal i sh.p.k.-ve është 100 (njëqind) lekë.
A mund ta themeloj një sh.p.k i vetëm?
Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar (sh.p.k.) mund të themelohen edhe vetëm nga një person fizik. Personi juridik, i vetëm, mund të jetë gjithashtu themelues i një sh.p.k-.je.
Sa është tarifa e regjistrimit?
Tarifa e aplikimit për regjistrimin e një shoqërie tregtare pranë sporteleve të Qendrës Kombëtare të Biznesit është 100 (njëqind) lekë. Në rast se aplikimi bëhet elektronikisht nëpërmjet portalit e-Albania, është 0 (zero) lekë.