Kontrata e Qirasë
Kontrata e Qirasë është një dokument që përdoret të përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e palëve (Qiramarrësit dhe Qiradhënësit) mbi sendet e dhëna me qira. Qiradhënësi dhe Qiramarrësi duke përkufizuar interesat e tyre ligjore, garantojnë në të njëjtën kohë mbrojtjen e interesave ekonomike.
Çfarë është një kontratë qiraje?
Qiraja është marrëdhënia kontraktoreme të cilën njëra palë (Qiradhënësi) i jep palës tjetër (Qiramarrësit) një send të caktuar, për gëzim të përkohshëm kundrejt një shpërblimi të caktuar.
Cila është forma e kontratës së qirasë?
Forma e kontratës së qirasë varet nga kohëzgjatja e afatit që vendosin palët dhe objekti, nëse si objekt është një send i paluajtshëm.
Kontrata e qirasë bëhet me shkrim, nëse afati është më shumë se 1 (një) vit. Kontratat e qirasë, afati i së cilave është më pak se 1 (një) vit, bëhen edhe me marrëveshje orale dhe mund të vërtetohet me dëshmimtarë.
Kontrata e qirasë, që kanë për objekt një send të paluajtshëm, dhe afat më shumë se 9 (nëntë) vite, duhet të bëhen me akt noterial dhe të regjistrohen në regjistrin publik të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për efekt vlefshmërie.
Në rast se objekt i kontratës së qirasë është një send i paluajtshëm, dhe afati i caktuar prej palëve është më pak se 9 (nëntë) vite, kontrata është e vlefshme edhe nëse nuk regjistrohet, me kusht që të jetë në formë të shkruar.
Çfarë pasojash sjell mungesa e një kontrate të shkruar?
Mosrespektimi i formës së shkruar të kontratës, kur kërkohet nga ligji, sjell si pasojë pavlefshmërinë e saj.
Çfarë afatesh duhen respektuar për një kontratë qiraje?
Rregulli i përgjithshëm është se një kontratë qiraje nuk mund të lidhet për një kohë më të gjatë se 30 (tridhjetë) vite. Në qoftë se ajo është lidhur për një periudhë kohe më të gjatë ose pa afat, ka fuqi vetëm për afatin 30 (tridhjetë) vjeçar.
Përjashtime nga rregulli:
Për ndërtesat që përdoren për banim, kontrata e qirasë nuk mund të lidhet për një kohë më të gjatë se 5 (pesë) vite.
Kontratat për qiranë e tokës kanë afat maksimal 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vite.
Çfarë duhet përfshirë në një kontratë qiraje?
Palët (Qiradhënësi dhe Qiramarrësi) duhet të specifikojnë në kontratë sendin objekt të kontratës, që mund të jetë send i luajtshëm ose i paluajtshëm; të drejtat dhe detyrimet e tyre, si dhe kohëzgjatjen e afatit.
A mund të lidh një kontratë qiraje pa afat?
Kodi Civil i mundëson palëve lirinë kontraktore, sipas së cilës palët janë të lira të parashikojnë përmbajtjen e kontratës sipas interesave të tyre, gjithmonë brenda kufijve ligjor.
Në rastin e kontratës së qirasë, palët mund të mos e parashikojnë shprehimisht kohëzgjatjen e afatit, megjithatë si afat maksimal do të jetë kufiri ligjor për sendin që është objekt kontrate.
Prezumim ligjor: afati maksimal i kontratës së qirasë është 30 (tridhjetë) vite.
Cilat janë detyrimet e Qiradhënësit?
Qiradhënësi duhet t’i dorëzojë Qiramarrësit sendin në kohën e caktuar dhe në atë gjendje që i lejon Qiramarrësit përdorimin për të cilën palët janë marrë vesh. Nëse në kontratë nuk është përcaktuar çasti i dorëzimit të sendit, Qiradhënësi duhet t’ia dorëzojë atë menjëherë me lidhjen e kontratës. Mospërmbushja e këtij detyrimi i jep të drejtë Qiramarrësit të kërkojë zgjidhjen e kontratës.
Përgjatë vazhdimit të qirasë, Qiradhënësi duhet të kujdeset për mbajtjen e sendit në të njëjtën gjendje që është dorëzuar, pa cënuar përdorimin e tij të lirë nga Qiramarrësi. Mirëmbajtja e sendit e ngarkon Qiradhënësin me detyrimin e bërjes së ndreqjeve thelbësore, të domosdoshme dhe të nevojshme, në mënyrë që sendi të ruajë cilësitë që lidhen me funksionin e sendit dhe arsyen e dhënies me qira.
Qiradhënësi duhet t’i garantojë Qiramarrësit gëzimin e lirë të sendit, dhe mungesën e të metave. Si rrjedhojë, asnjë palë e tretë nuk duhet të ketë pretendime mbi sendin objekt qiraje, që mund të cënojë të drejtat e Qiramarrësit. Gjithashtu, sendi duhet dorëzuar në gjendjen sipas së cilës palët kanë rënë dakort në kontratë, ose në atë gjendje që i përgjigjet funksioneve të tij.
A mund ta zgjidh kontratën nëse sendi ka të meta?
Në rast se në çastin e dorëzimit të sendit, ai ka të meta që ulin në mënyrë të dukshme vlerën e përdorimit, Qiramarrësi mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës, ose zbritjen e çmimit të qirasë, përveç kur ai ka patur dijeni për të metën ose ajo është lehtësisht e dallueshme.
Cilat janë detyrimet e Qiramarrësit?
Qiramarrësi duhet ta përdorë sendin sipas qëllimit të përcaktuar në kontratë. Në mungesë të këtij parashikimi, sipas qëllimit që del nga natyra e sendit. Për shembull, nëse palët kanë nënshkruar një kontratë me afat 4 (katër) vjeçar, me objekt një apartament për qëllime banimi, këshillohet që Qiramarrësi të mos e shndërrojë atë në një zyrë për ushtrimin e veprimtarisë së tij, pasi përmbajtja e kontratës, qëllimi i lidhjes së saj dhe vetë natyra e sendit janë elemente që përcaktojnë shprehimisht sjelljen e Qiramarrësit ndaj sendit të marrë me qira.
Qiramarrësi duhet t’ia kthejë qiradhënësit sendin në të njëjtën gjendje që e ka marrë, në përputhje me përshkrimin e bërë nga palët në kontratë, përveç dëmtimit ose konsumimit të zakonshëm nga përdorimi i sendit në përputhje me kontratën. Nëse sendi është i vjetër, Qiramarrësi nuk përgjgijet për gjendjen e dorëzuar me dëmtime si pasojë e vjetërsisë.
Në mungesë të përshkrimit të gjendjes së sendit në kontratë prezumohet se Qiramarrësi e ka marrë sendin në gjendje të mirë përdorimi.
A mund të bëhen punime në sendin e marrë me qira?
Rregulli i përgjithshëm: Qiramarrësi nuk mund t’i bëjë ndryshime sendit të marrë me qira. Megjithatë, ai mund të kërkojë miratimin e Qiradhënësit për përmirësimet e bëra ndaj sendit, dhe si rrjedhojë gëzon të drejtën e shpërblimit që i korrespondon shumës më të vogël midis shumës së shpenzimeve dhe vleftës së rezultatit të dobishëm në kohën e dorëzimit.
Qiramarrësi është i detyruar të përgjigjet financiarisht për shpenzimet e bëra mbi sendin e luajtshëm, në funksion të mirëmbajtjes së tij të zakonshme. Megjithatë, palët janë të lira të parashikojnë ndryshe në kontratë.
A mund të jepet sendi me nënqira?
Qiramarrësi mund ta japë me nënqira sendin e marrë me qira në rast se palët nuk kanë parashikuar ndryshe në kontratë, ose nuk e kanë ndaluar shprehimisht këtë gjë.
Dhënia e sendit me nënqira kërkon pëlqimin e Qiradhënësit.
Si paguhet qiraja?
Pagesa e çmimit të qirasë përbën një prej detyrimeve kryesore të Qiramarrësit. Qiramarrësi shlyen çmimin e qirasë në kohën dhe në mënyrën e caktuar në kontratë. Përveç momentin të pagesës, palët duhet të parashikojnë në kontratë edhe monedhën përkatëse.