Marrëveshja e Konfidencialitetit
Marrëveshja e Konfidencialitetit është një kontratë e zbatueshme ligjërisht, e nënshkruar midis palëve për përdorimin dhe ruajtjen në mënyrë konfidenciale të informacionit të shkëmbyer midis tyre. Zakonisht, në një Marrëveshje Konfidencialiteti janë vetëm 2 (dy) palë nënshkruese, 'Dhënësi' i informacionit (njëkohësisht edhe zotëruesi i tij) dhe 'Marrësi'.
Çfarë është një Marrëveshje Konfidencialiteti?
Marrëveshja e Konfidencialitetit (NDA) është një kontratë e zbatueshme ligjërisht, që krijon marrëdhënie konfidenciale midis palëve - “Dhënësit” dhe “Marrësit” - për përdorimin konfidencial të informacionit të shkëmbyer midis tyre.
Me anë të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Marrësi zotohet të mos zbulojë ose publikojë asnjë informacion të parashikuar në Marrëveshje. Ai detyrohet gjithashtu të mos kopjojë, modifikojë ose përdorë informacionin e marrrë në asnjë mënyrë apo formë, që nuk është autorizuar paraprakisht nga Dhënësi.
Marrëveshja e Konfidencialitetit lejon Dhënësin të kufizojë veprimtarinë e Marrësit nga zbulimet e mundshme të të dhënave, dhe detyron Marrësin të mbajë sekret informacionin me të cilin vihet në dijeni, si dhe të parandalojë çdo situatë që mund të shkaktojë përhapjen e të dhënave.
Përse duhet përdorur Marrëveshja e Konfidencialitetit?
Ka disa arsye përse duhet përdorur një Marrëveshje Konfidencialiteti. Kryesisht, dhe më e rëndësishmja, sepse i mundëson palëve përdorimin e informacionit konfidencial sipas një sërë kushtesh të lejuara.
Zakonisht, Marrëveshja e Konfidencialitetit nënshkruhet krahas [Kontratave të Punës] (/dokumenti/kontrate-e-punes) apo [Kontratave të Shërbimit] (/dokumenti/kontrata-e-sherbimit), në mënyrë që Punëmarrësit të lejohen të kenë akses ndaj informacioneve për të përmbushur detyrat e tyre, duke mundësuar në të njëjtën kohë ruajtjen e informacionit sekret.
Megjithatë, këto marrëveshje mund të përdoren edhe në rrethana të tjera:
Paraqitja e modelit të biznesit ndaj investitorëve për mundësi financimi
Ndarja e informacionit privat në lidhje me funksionimin e një biznesi me investitorët e mundshëm
Ndarja e informacionit për klientët e një kompanie të caktuar
Ndarja e të dhënave dhe informacioneve të ndjeshme të përdoruesve, me kontraktorët dhe konsulentët për të ndihmuar në përmirësimin e performancës së një biznesi
Ndarja e informacionit me gazetarët përpara prezantimit të një produkti
Lejimi i punonjësve të laboratorit të analizojnë të dhënat e pacientëve
Ndarja e informacionit me një publicist ose agjenci marketingu
Marrëveshjet e Konfidencialitetit janë mënyra më e sigurt për mbrojtjen dhe mbajtjen e informacionit konfidencial ndaj situatave që mund të shkaktojnë zbulimin e padëshiruar të tij me palë të treta. Është e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm se si funksionojnë këto marrëveshje ligjore përpara krijimit ose nënshkrimit të tyre, pasi kjo gjë ju ndihmon në marrjen e vendimeve të duhura ligjore, tani dhe në të ardhmen.
Çfarë duhet përfshirë në një Marrëveshje Konfidencialiteti?
Në mënyrë që informacioni i shkëmbyer të ruhet siç duhet, një Marrëveshje Konfidencialiteti duhet të përmbajë këto të dhëna:
Gjeneralitetet e palëve nënshkruese
Informacion nëse palët janë “individ” apo “kompani”
Llojin e informacionit konfidencial objekt të marrëveshjes
Arsyen e shpërndarjes së këtyre të dhënave
Periudhën kohore për të cilën do të zbatohet marrëveshja
Një deklaratë që përcakton se si duhen përdorur të dhënat
Çdo përjashtim nga marrëveshja
Një nga detajet më të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje është përcaktimi në mënyrë të qartë i llojit të informacionit konfidencial që po ndahet midis palëve, i cili e ngarkon ligjërisht Marrësin me detyrimin e ruajtjes dhe mbrojtjes së tij. Të dhënat e mbrojtura me një Marrëveshje Konfidencialiteti mund të jenë:
Idetë për shpikje ose produkte
Të dhënat private të përdoruesve
Planet dhe informacione sensitive të biznesit
Detajet e kontratave të nënshkruara midis palëve
Të dhënat e klientëve dhe informacione rreth shitjeve
Informacione mbi çmimin
Sekretet tregtare
Të dhënat financiare
Përdorimi i një modeli të përgatitur paraprakisht, ju ndihmon me përshpejtimin e procesit të shkrimit të dokumentit tuaj. Marrëveshja e Konfidencialitetit e Legit ju mundëson vendosjen e elementëve kryesorë dhe të nevojshëm për mbrojtjen me sukses të informacionit tuaj konfidencial, duke ju lejuar gjithashtu shtimin e detajeve specifike sipas nevojave, në çdo seksion të marrëveshjes.
Krijimi i një Marrëveshjeje të automatizuar Konfidencialiteti në Legit, duke ju përgjigjur një sërë pyetjesh hap pas hapi, thjeshton fazën e negociatave dhe hartimit të kësaj marrëveshjeje. Në fund ju do të keni një Marrëveshje Konfidencialiteti profesionale dhe të zbatueshme ligjërisht.
Përdorimi i platformës sonë nuk e anashkalon fazën e negociatave. Hartimi i të gjitha kontratatve bëhet duke ju përgjigjur pyetjeve sipas nevojave tuaja, bazuar në eksperiencën më të mirë ligjore të hartuesve të këtyre modelve përgjatë fazës së negociatave.
Faza e negociatave nuk anashkalohet, por thjeshtohet nëpërmjet automatizimit me pyetje-përgjigje.
A është ligjërisht e zbatueshme një Marrëveshje Konfidencialiteti?
Po. Palët i japin fuqi një Marrëveshjeje Konfidencialiteti në momentin e nënshkrimit të saj, ose në ditën e specifikuar në marrëveshje si data e hyrjes së saj në fuqi.
Nga momenti i hyrjes në fuqi, Marrësi është ligjërisht përgjegjës për mbrojtjen e informacionit konfidencial që parashikohet në marrëveshje, sipas kushteve të vendosura.
Çfarë ndodh nëse shkelni Marrëveshjen e Konfidencialitetit?
Në rast shkeljeje të Marrëveshjes së Konfidencialitetit, Dhënësi i informacionit mund t’ju padisë. Megjithatë, për ta bërë këtë gjë, Dhënësi duhet të jetë në gjendje të provojë se keni shkelur kushtet e parashikuara në marrëveshje. Pala paditëse ngarkohet gjithashtu me përgjegjësinë e të provuarit të personave me të cilët është ndarë informacioni, kur ka ndodhur shkelja e konfidencialitetit dhe mënyrat e kryerjes.
Për sa kohë mund të zgjasë një Marrëveshje Konfidencialiteti?
Një Marrëveshje Konfidencialiteti mund të zgjasë për aq kohë sa i përgjigjet nevojës së ruajtjes së informacionit si konfidencial. Sidoqoftë, në shumicën e rasteve, kohëzgjatja e këtyre marrëveshjeve ka një interval kohor nga 1 (një) deri në 5 (pesë) vite.
Shiko edhe dokumentet e tjera, si:
Marrëveshja e Procesimit të Dhënave Personale
Autorizim për Punonjësin
Letër Kërkesë Leje
Letër Dorëheqje