logo

Kontrata e Punës

Kontrata e punës është një marrëveshje midis palëve që rregullon marrëdhënien dinamike të punësimit. Kodi i Punës parashikon dispozita lejuese dhe detyruese, sipas së cilave udhëhiqen Punëdhënësi dhe Punëmarrësi përgjatë punësimit. Një ndër elementët më të rëndësishëm të kontratës së punës është forma e saj e shkruar.

Çfarë është një kontratë pune?

Kontrata e punës është një marrëveshje ndërmjet Punëmarrësit dhe Punëdhënësit, që rregullon marrëdhëniet e punës dhe përmban të drejtat dhe detyrimet e palëve.

Cila është forma e kontratës së punës?

Kontrata e punës duhet të lidhet në formë të shkruar. Ajo bëhet në dy kopje dhe firmoset në fund të çdo faqeje nga të dyja palët.

Në fund, Punëmarrësi dhe Punëdhënësi mbajnë kopjet respektive.

Çfarë duhet përfshirë në një kontratë pune?

Në kontratë duhen përfshirë:

  • Identiteti i palëve

  • Vendi i punës

  • Data e fillimit të punës

  • Përshkrimi i përgjithshëm i punës

  • Kohëzgjatja e marrëdhënies kontraktore (nëse kontrala lidhet me afat)

  • Kohëzgjatja e pushimeve të paguara

  • Afati i njoftimit për zgjidhjen e kontratës

  • Elementët përbërës të pagës dhe datën e dhënies së saj

  • Koha normale javore e punës

  • Periudha e provës

Sa lloje kontratash janë?

Kontratat e punës kategorizohen sipas kohëzgjatjes në "kontrata pune me afat" dhe "kontrata pune pa afat".

Rregulli i përgjithshëm është se kontrata e punës lidhet pa afat. Nëse kontrata lidhet me afat, arsyeja objektive duhet të specifikohet në kontratë.

Sa zgjat periudha e provës?

3 (tre) muajt e parë të punës konsiderohen kohë prove.

Kur quhet e lidhur kontrata e punës?

Kontrata e punës quhet e lidhur kur Punëmarrësi pranon kryerjen e një pune ose shërbimi, për një periudhë kohe të caktuar ose të pacaktuar, brenda kuadrit të organizimit dhe sipas urdhrave të Punëdhënësit dhe që, në bazë të këtyre rrethanave, kryhet vetëm kundrejt pagesës.

Sipas Kodit Civil, kontrata quhet e lidhur kur palët kanë shfaqur në mënyrë të ndërsjellë vullnetin e tyre, duke u marrë vesh për të gjitha kushtet thelbësore të saj. Kjo shfaqje e vullnetit mund të jetë në mënyrë të shprehur ose të heshtur. Pra, me rëndësi për lidhjen e kontratës është "momenti i shfaqjes së vullnetit".

Kontrata e Punës në cilësinë e kontratave të veçanta, rregullohet nga ligj i posaçëm - Kodi i Punës - i cili kërkon që forma e saj të jetë e shkruar, dhe që punëmarrësi të shfaqi vullnetin e tij për pranimin e kryerjen e punës me anë të firmës.

Duke qënë se data e fillimit të punës është element thelbësor kontraktor për të cilën palët shprehin vullnetin e tyre, data e fillimit të marrëdhënies së punës do të konsiderohet ajo e specifikuar në kontratë, ndërsa firmosja e saj do të konsiderohet si "moment i lidhjes së saj".

Po nëse nuk ka një kontratë të shkruar?

Mungesa e formës nuk prek vlefshmërinë e kontratës. Megjithatë, nëse kontrata nuk është lidhur në formë të shkruar, dhe punëmarrësi ka nisur nga kryerja e punës ose shërbimit sipas urdhrave të punëdhënësit, ky i fundit duhet të hartojë me shkrim brenda 7 ditëve nga dita e punësimit, një kontratë pune me të gjithë elementët e detyrueshëm kontraktor.

A të penalizon mungesa e një kontrate me shkrim?

Mospërmbushja e detyrimit ligjor për të hartuar kontrata pune në formë të shkruar është e dënueshme me gjobë.

Gjenero Kontratën e Punës në vetëm pesë minuta

Pasqyra


1. Çfarë është një kontratë pune?
2. Cila është forma e kontratës së punës?
3. Çfarë duhet përfshirë në një kontratë pune?
4. Sa lloje kontratash janë?
5. Sa zgjat periudha e provës?
6. Kur quhet e lidhur kontrata e punës?
7. Po nëse nuk ka një kontratë të shkruar?
8. A të penalizon mungesa e një kontrate me shkrim?
logo

Dokumente ligjore