Plani i Biznesit
Plani i Biznesit është një dokument i shkruar që shërben për të strukturuar formalisht idenë tuaj të biznesit, e për të prezantuar produket dhe/ose shërbimet tek financuesit e mundshëm. Plani i Biznesit nuk ju vjen në ndihmë vetëm me investitorët, por mundëson krijimin e një strategjie të mirëfilltë për të konkurruar denjësisht në treg.
Çfarë është një Plan Biznesi?
Një Plan Biznesi është një dokument i shkruar, ku detajohen tiparet kryesore të një shoqërie të re ose ekzistuese. Plani i Biznesit përmban informacione të rëndësishme rreth mënyrës se si do të strukturohet modeli i biznesit, si do të financohet, dhe si do të zhvillohen proceset operacionale
Zakonisht, Planet e Biznesit hartohen për t’ju paraqitur institucioneve bankare - prej së cilave ortakët synojnë të marrin kredi, apo investitiorët e mundshëm - prej së cilëve synohet investim në formë kapitali. Me anë të Planit të Biznesit ju keni mundësinë t’i tregoni këtyre financuesve seriozitetin e sipërmarrjes suaj dhe funksionimin e saj deri në detaje.
Për çfarë shërben një Plan Biznesi?
Krijimi i një Plan’ Biznesi ju ndihmon të vlerësoni potencialin e biznesit tuaj, dhe ju jep mundësinë që ta prezantoni këtë potencial tek investitorët dhe donatorët e mundshëm.
Një Plan Biznesi hartohet kryesisht për:
Të krijuar një startegji
Të studiuar tregun dhe gjetur pikat e forta dhe të dobëta të strategjisë suaj
Të zhvilluar modelin aktual të biznesit
T’u njohur me konkurrentët dhe situatën në treg
Të testuar qëndrueshmërinë e idesë së biznesit
Të llogaritur kostot dhe përfitimet
Të mësuar më shumë rreth objektivave dhe qëllimeve tuaja
Të bindur investitorët, financuesit dhe donatorët për t’ju mbështetur financiarisht
Çfarë duhet përfshirë në një Plan Biznesi?
Një Plan Biznesi nuk përmban vetëm një përshkrim të përgjithshëm të biznesit tuaj, por në të përfshihen strategjitë e marketingut, qëllimet financiare, informacione mbi mënyrat e financimit dhe mënyrën e përmbushjes së detyrimeve, objektivat ekonomike, dhe detaje rreth strukturës së shoqërisë.
Kryesisht, një Plan Biznesit duhet të përmbajë:
Produktin ose Shërbimin
Ju duhet të jeni në gjendje t'u tregoni të tjerëve, në mënyrë të përmbledhur, se çfarë produktesh ose shërbimesh do të ofroni. Nëse produkti është shumë teknik ose i ri në treg, kujdesuni që t’a përshkruani me një gjuhë të thjeshtë, në mënyrë që investitorët dhe financuesit e mundshëm të jenë të qartë rreth konceptit tuaj. Gjithashtu, në seksionin ku përshkruani produktet dhe/ ose shërbimet që do të ofroni, shpjegoni nevojat konkrete që biznesi juaj do të plotësojë në treg.
Struktura e shoqërisë
Përcaktoni pjesmarrësit dhe rolin e tyre në strukturën e shoqërisë. Në këtë mënyrë, do të keni mundësi të bindni investitorët për kualifikimet e bashkëpronarëve ose administratorëve të shoqërisë.
Tregu
Identifikoni tregun, konkurrencën e mundshme dhe alternativat që do të ofroni ju me produktet dhe/ ose shërbimet tuaja.
Marketingu
Hartoni në plan marketingu, përcaktoni strategjitë që do të ndiqni, dhe mënyrat e financimit.
Planet financiare
Hartoni një buxhet paraprak dhe planifikoni se si do ta financoni biznesin tuaj. Parashikoni shkurtimisht nëse financimi do të bëhet prej:
Kredive të biznesit prej institucionet bankare
Vetëfinancimit prej themeluesve
Investitorëve
Granteve
Kredive të tjera prej palëve të treta (për shembull, huatë prej të afërmve)
Gjithashtu, mund të tregoni edhe mënyrat se si planifikoni të paguani kreditë e marra në momentin që do të gjeneroni fitim prej produkteve dhe/ ose shërbimeve tuaja.
Nevojat për financim
Parashikoni nëse jeni duke kërkuar për kapital prej investitorëve të mundshëm, dhe nëse po, përcaktoni në mënyrë të matshme se sa do të jetë fondi për të cilin do të keni nevojë. Përshkruani gjithashtu mënyrat se si do ti paguani investitorët, dhe kohën kur. Nëse zgjidhni më shumë se një mënyrë financimi, parashikoni në Planin e Biznesit opsionet e tjera të financimit.
Si të shkruaj një Plan Biznesi?
Plani i Biznesit duhet t’ju ndihmojë të komunikoni nevojat për financim prej investitorëve dhe financuesve kryesorë.
Modeli i Planit të Biznesit në Legit, ju thjeshton procesin e hartimit manualisht të dokumentit, me anë të përgjigjes së disa pyetjeve sipas nevojave tuaja. Në fund, ju do të merrni një Plan Biznesi të hartuar në mënyrë profesionale, që reflekton të gjitha nevojat e shoqërisë për financim dhe ju mundëson të kuptoni nevojat tuaja, si dhe të prezantoheni denjësisht përballë investitorëve.
Formati i Planit të Biznesit
Shumica e Planeve të Biznesit kanë një format standart, me seksione të dedikuara, ku përmblidhen detajet e nevojshme për të cilat duhet të kenë dijeni investitorët e mundshëm.
Zakonisht, një Plan Biznesi përmban:
Përmbledhjen ekzekutive
Në këtë seksion duhet të përshkruani shkurtimisht idenë tuaj të biznesit dhe objektivat tuaja.
Përshkrimi i kompanisë
Në këtë seksion duhet të përshkruani me detaje veprimtarinë e shoqërisë tuaj dhe tregun që synoni. Identifikoni gjithashtu pikat e forta që keni për të përballuar konkurrencën.
Analiza e tregut
Në këtë seksion duhet të tregoni analizën që i keni bërë tregut dhe tendencat kryesore të tij. Specifikoni gjithashtu mënyrat se si e keni matur konkurrencën dhe si mendoni të jeni sfidues.
Organizimi dhe menaxhimi
Në këtë seksion duhet të shpjegoni se çfarë forme organizimi do të ketë shoqëria juaj, organet, dhe veprimtarinë e tyre sipas legjislacionit në fuqi.
Plani operacional
Në këtë seksion duhet të tregoni si do të funksionojë kompania juaj, duke përshkruar llojet e shërbimeve dhe/ ose produkteve që do të ofroni, si dhe mënyrën se si do t’i ofroni ato për të qënë konkurrues në treg. Ky seksion duhet të ketë të reflektuar elemente të pronësisë intelektuale si: mbrojtjen e Patentave, të Drejtat të Autorit dhe Markat Tregtare.
Plani i marketingut dhe reklamimi
Në këtë seksion duhet të tregoni se si do t’i komunikoni publikut të gjerë shërbimet dhe/ ose produktet tuaja, si dhe kanalet e marketingut që do të përdorni.
Mbështetja financiare
Në këtë seksion duhet të jepni informacion për mbështetje financiare që ju nevojitet, çfarë keni siguruar deri më tani, periudhën kohore përgjatë së cilës do të përdorni burime të jashtme financiare dhe zërat e buxhetit.
Parashikimet financiare
Në këtë seksion duhet të parashikoni momentin kur prisni të gjeneroni të ardhurat e para prej shitjes së produkteve dhe/ ose shërbimeve tuaja. Ky seksion është një prej më të rëndësishmëve për investitorët, pasi kanë mundësi të njihen konkretisht me objektivat dhe seriozitetin e biznesit tuaj.
Shtojcat
Në këtë seksion të fundit duhet të bashkëngjitni çdo material mbështetës, si për shembull aplikime për Patenta, dokumente ligjore, licensa, skica apo historik krediti.
Shiko edhe dokumentet e tjera, si: