logo

Akt Përfaqësimi

Akti i Përfaqësimit është një dokument me anë të së cilit i Përfaqësuari, me vullnetin e tij të lirë përcakton karakterin dhe vëllimin e tagreve të Përfaqësuesit.

Çfarë është Akti i Përfaqësimit?

Akti i Përfaqësimit është një dokument ligjor që i jepet një personi të autorizuar për të vepruar në emër dhe për llogari të një personi tjetër. Përfaqësuesi jo domosdoshmërisht duhet të jetë një avokat. Ai mund të jetë edhe një punonjës i kompanisë, bashkëpunëtor, anëtar i besuar i familjes ose një person i njohur.

Sa lloje Aktesh Përfaqësimi ka?

Akti i Përfaqësimit mund të jetë i përgjithshëm ose i posaçëm. Përfaqësimi është i përgjithshëm kur i Përfaqësuari i jep Përfaqësuesit miratimin për të kryer veprime juridike të shumëllojshme, të cilat kanë të bëjnë me një tërësi të drejtash të Përfaqësuesit, përveç atyre që ky i fundit i ka përjashtuar shprehimisht në Aktin e Përfaqësimit. Përmes një Akti të përgjithshëm, Përfaqësuesi mund të ketë akses në llogaritë bankare të të Përfaqësuarit, mund të nënshkruajë çeqe, mund të menaxhojë asetet e të Përfaqësuarit, mund të shesë prona në emër të të Përfaqësuarit etj

Akti i posaçëm i autorizimit parashikon një tagër më të limituar veprimesh juridike që mund të bëjë Përfaqësuesi. Në këtë rast, i Përfaqësuari duhet t’i parashikojë në mënyrë eksplicite veprimet që do të kryhen në emër dhe për llogari të tij.

Çfarë forme mund të ketë një Akt Përfaqësimi?

Akti i Përfaqësimit duhet të bëhet gjithmonë me shkresë. Në rast se Akti jepet për të lidhur një kontratë e cila duhet bërë vetëm me akt noterial, atëherë edhe Akti i Përfaqësimit duhet të përpilohet në këtë formë, pra me akt noterial, përndryshe është i pavlefshëm.

Për shembull: Akti i përfaqësimit për shitjen e pasurive të paluajtshme duhet bërë me akt noterial.

Cilat Akte Përfaqësimi duhen bërë me akt noterial?

Akti i Përfaqësimit duhet të bëhet me akt noterial kur ligji e kërkon shprehimisht këtë gjë. Akti për kryerjen e veprimeve para gjykatave dhe institucioneve të tjera shtetërore duhet të bëhet me akt noterial, përveç kur me dispozita ligjore lejohet që të bëhet me shkresë të thjeshtë. Mosrespektimi i detyrimit ligjor, sjell pavlefshmërinë e veprimit juridik.

Akti për përfaqësimin e personave juridikë publikë e privatë mund të bëhet edhe vetëm me nënshkrimin e drejtuesit të tij dhe me vulën përkatëse, përveç kur ligji kërkon që veprimi juridik të kryhet me akt noterial.

Akt Përfaqësimi përpiluar me akt noterial:

  • Akti i përfaqësimit për depozitimin e kërkesës për t’i dhënë fuqi vendimit të gjykatës së huaj në Shqipëri, e përkthyer dhe legalizuar te noteri.

  • Akti i përfaqësimit për pjesmarrjen në një proces ankandi

  • Akti i përfaqësimit për shitblerje apartamenti

  • Akti i përfaqësimit për kontrata me objekt kalimin e pronësisë së sendeve

  • Akti i përfaqësimit për të drejtat e uzufruktit, enfiteozës, servitutit dhe të drejtave të tjera reale

  • Akti i përfaqësimit për kontrata garancie mbi përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kontrata me veprime juridike

  • Akti i përfaqësimit për lidhjen e kontratës së pengut

Akt i thjeshtë përfaqësimi (pa akt noterial):

  • Akti i përfaqësimit për përfaqësim në proces gjyqësor

  • Akti i përfaqësimit bashkëngjitur kërkesëpadisë

  • Akti i përfaqësimitit për depozitimin e rekursit në Gjykatën e Lartë

  • Akti i përfaqësimit për depozitimin e ankimit në Gjykatën e Apelit

  • Akti i përfaqësimit për paraqitjen e kërkesës për konstatimin e shkeljes së afatit të arsyeshëm dhe përshpejtimin e procedurave gjyqësore

  • Akti i përfaqësimit për pjesmarrjen në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të shoqërive aksionere

  • Akti i përfaqësimit për përfaqësimin ligjor të shoqërive tregtare për çdo veprim gjyqësor apo jashtëgjyqësor

  • Akti i përfaqësimit për ndjekjen e veprimeve administrative dhe regjistrimin e akteve të Gjendjes Civile, si p.sh. denoncimin e humbjes së dokumenteve

  • Akti i përfaqësimit për ndjekjen e procedurave për legalizimin e shtëpive (pranë ALUIZNI-t) ose të ngjashme me to

  • Akti i përfaqësimit për përdorim të përkohshëm automjeti dhe kryerjen e formaliteteve për qiradhënie të objekteve të banimit

Për çfarë afati kohor lëshohet Akti i Përfaqësimit?

Kohëzgjatja e vlefshmërisë së Aktit të Përfaqësimit vendoset që në momentin e hartimit të tij. I Përfaqësuari duhet të përcaktojë kohëzgjatjen e përfaqësimit nga Përfaqësuesi, pasi veprimet juridike që kryen Përfaqësuesi brenda tagreve që i janë dhënë, sjellin pasoja drejtëpërdrejt për të Përfaqësuarin.

I Përfaqësuari mund të përcaktojë datën/at se kur Përfaqësuesi mund të kryejë veprimet juridike në emër dhe për llogari të tij. Palët mund të vendosin edhe që Akti i Përfaqësimit të zbatohet pas momentit të hartimit të dokumentit, pasi ai është nënshkruar dhe vulosur nga palët

Çfarë duhet të përmbajë një Akt Përfaqësimi?

Akti i Përfaqësimit duhet të përmbajë datën dhe vendin e lëshimit të dokumentit, kohëzgjatjen e përfaqësimit, gjeneralitetet e palëve, përshkrimin e tagrave të dhëna, nënshkrimet respektive dhe vulën e personit juridik (nëse i Përfaqësuari është person juridik).

A mund të shfuqizohet Akti i Përfaqësimit?

I Përfaqësuari mund ta shfuqizojë në çdo kohë Aktin e Përfaqësimit. Gjithashtu, edhe Përfaqësuesi mund të heq dorë në çdo kohë nga përfaqësimi. Çdo marrëveshje e kundërt është e pavlefshme. Në një rast të tillë, palët duhet ta vënë paraprakisht në dijeni njëra-tjetrën për dorëheqjen nga Akti.

A mund të autorizohet më shumë se një person?

Po. Në rast se për të kryer një veprim juridik janë caktuar dy ose më shumë Përfaqësues, secili prej tyre mund ta kryejë atë veprim juridik edhe pa pjesëmarrjen e Përfaqësuesve të tjerë. Në rast se në dokument është specifikuar mënyra se si do të veprojnë Përfaqësuesit, atëherë ata do sillen sipas parashikimeve në Akt Përfaqësimi.

Duhet theksuar se Përfaqësuesi është i detyruar të veprojë personalisht. Ai nuk mund të emërojë zëvendës të tij, përveç rasteve kur:

  • Kjo gjë është lejuar nga i Përfaqësuari;

  • Pasuria që përmendet në Aktin e Përfaqësimit ndodhet jashtë territorit të rrethit ku banon Përfaqësuesi;

  • Caktimi i zëvendësit çmohet i nevojshëm për mbrojtjen e interesave të të Përfaqësuarit.

Përfaqësuesi duhet të njoftojë menjëherë të Përfaqësuarin për zëvendësin që ka caktuar, përndryshe ai do të përgjigjet për veprimet e zëvendësit të tij.

A mund të ndryshohet Akti i Përfaqësimit?

Akti i Përfaqësimit mund të ndryshohet në çdo kohë, duke shtuar apo duke pakësuar tagrat e Përfaqësuesit. Megjithatë, i duhet kushtuar vëmendje e veçantë njoftimit të të tretëve për ndryshimet e bëra në të. Nëse të tretët nuk janë njoftuar për ndryshimet e bëra, ose për mbarimin e Aktit të Përfaqësimit, veprimet e bëra nga Përfaqësuesi nuk mund t’u kundrejtohen të tretëve. Në rast se provohet se të tretët kanë patur dijeni për ndryshimet e bëra në dokument në kohën kur është kryer veprimi juridik nga ana e Përfaqësuesit, atëherë ndaj tyre mund të kundrejtohen pasojat e veprimeve juridike.

Cilat janë rastet kur mbaron Akti i Përfaqësimit?

Akti i Përfaqësimit mbaron kur:

  • Përfaqësuesi kryen veprimet juridike të përcaktuara në Akt Përfaqësimi;

  • Ka kaluar afati për të cilin ishte dhënë Akti i Përfaqësimit;

  • Përfaqësuesi ose i Përfaqësuari kanë vdekur, ose kur njëri prej tyre ka humbur zotësinë për të vepruar;

  • Me mbarimin e personit juridik, në cilësinë e të Përfaqësuarit;

  • I Përfaqësuari shfuqizon Aktin e Përfaqësimit ose Përfaqësuesi heq dorë prej saj.

Pas mbarimit të Aktit të Përfaqësimit, Përfaqësuesi me kërkesën e të Përfaqësuarit duhet t’i kthejë atij Aktin.

Shiko edhe dokumentet e tjera, si:

Gjenero Akt Përfaqësimin në vetëm pesë minuta

Pasqyra


logo

Dokumente ligjore