Kontrata e Shërbimit
Kontrata e Shërbimit është një marrëveshje që rregullon mënyrën e ofrimit të shërbimeve, duke siguruar në të njëjtën kohë mbrojtjen e interesave ekonomike dhe ligjore të palëve (Ofruesit të Shërbimit dhe Klientit).
Kontratat e Shërbimit mund të nënshkruhen midis individëve, një biznesi dhe një individi, ose midis bizneseve. Ato mund të përdoren gjithashtu nga persona apo kompani që kanë për qëllim nënkontraktimin e proceseve të biznesit.
Çfarë është një Kontratë Shërbimi?
Kontrata e Shërbimit është një marrëveshje ndërmjet Ofruesit të Shërbimit (Ofruesit) dhe Klientit, që rregullon natyrën dhe mënyrën e ofrimit të shërbimit, modalitetet e pagesës, si dhe të drejtat dhe detyrimet e palëve.
Lloji dhe natyra e shërbimit të ofruar duhet të shpjegohen qartë, për të lehtësuar kështu kuptimin dhe interpretimin e kontratës. Palët duhet të përcaktojnë në mënyrë të detajuar veprimet që do të kryejë secila, si dhe qëllimet që duan të arrijnë.
Këshillohet që shërbimi i ofruar të mos përkufizohet gjerësisht, pasi kjo mund ta bëjë të vështirë interpretimin dhe përmbushjen e kontratës.
Çdo klauzolë që përfshihet në Kontratën e Shërbimit duhet të shpjegohet sipas natyrës së shërbimit, qëllimit dhe interesave të palëve. Për shembull, palët mund të referojnë në një Marrëveshje Konfidencialiteti nëse për kryerjen e shërbimeve është e nevojshme ndarja e informacionit konfidencial.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, kontrata duhet të shpjegojë se çfarë ndodh nëse ka një shkelje nga secila palë.
Përse është e rëndësishme Kontrata e Shërbimit?
Kodi Civil nuk ka dispozita që rregullojnë shprehimisht Kontratën e Shërbimit. Megjithatë, në bazë të lirisë kontraktore, palët janë të lira të nënshkruajnë midis tyre çfarëdo marrëveshje që nuk është në kundërshtim me parimet e së drejtës, legjislacionit dhe rendit publik në vend.
Liria kontraktore u lejon palëve që të përcaktojnë lirisht përmbajtjen e kontratës, duke respektuar kufijtë e vendosur me ligj. Si rrjedhojë, palët mund të hartojnë lirisht një Kontratë Shërbimi për aq kohë sa kanë arritur në një vullnet të përbashkët për kushtet kontraktore, dhe nuk e vendosin njëra-tjetrën në kushte të pabarabarta.
Kontrata e Shërbimit është dokument i rëndësishëm për personat dhe/ ose bizneset që ofrojnë shërbime, veçanërisht atëherë kur marrëveshja orale mbi kushtet e ofrimit të shërbimeve nuk mjafton për të përmbushur kërkesat e palëve mbi përmbushjen e detyrimeve dhe modalitetet e pagesës.
Secila palë mund t’i kërkojë tjetrës nënshkrimin e një Kontrate Shërbimi përpara fillimit të përmbushjes së detyrimeve për të cilat kanë rënë dakort. Në kontratë mund të parashikohen kushte për përmbushjen e detyrimeve specifike ose të përgjithshme, detyrimeve periodike apo me një dorëzim. Gjithsesi, Kontratat e Shërbimit kanë, zakonisht, kohëzgjatje të shkurtër dhe parashikojnë ofrimin e shërbimeve me një dorëzim.
Çfarë është një Ofrues shërbimesh?
Një Ofrues shërbimesh mund të jetë një person ose kompani që ofron shërbime profesionale ndaj një Klienti. Në Kontratën e Shërbimit, palët bien dakort të ofrojnë shërbime në shkëmbim të kompensimit.
Në varësi të llojit të shërbimit të ofruar, palët duhet të parashikojnë kushte të veçanta për natyrën e informacionit që do të shkëmbejnë (nëse ai klasifikohet konfidencial apo jo) dhe mjetet e realizimit/ ofrimit të shërbimit, për shembull, nëse do të përdoren software të veçantë apo jo.
Çdo profesionist që ofron këshilla dhe shërbime profesionale ndaj një pale tjetër përkundrejt një pagese, do të konsiderohet “Ofrues Shërbimi” në rolin e konsulentit, juristit, avokatit, ekonomistit, financierit, etj.
Cilat janë detyrimet e Ofruesit?
Ofruesi i shërbimit kryen të gjitha veprimet e nevojshme dhe të parashikuara në kontratë, për realizimin e shërbimit në kohën e duhur dhe sipas kërkesave të Klientit. Sipas rastit, Ofruesi i shërbimit duhet të shpreh qartë pajisjet dhe materialet e nevojshme për kryerjen e shërbimit, të cilat Klienti duhet t’ja vendosi në dispozicion.
Cilat janë detyrimet e Klientit?
Klienti është i detyruar të paguajë tarifën e shërbimit sipas kushteve të përcaktuara në kontratë, dhe nëse është e nevojshme, t’i sigurojë Ofruesit materialet e nevojshme për realizimin e shërbimit.
Çfarë duhet të përfshihet në një Kontratë Shërbimi?
Një Kontratë Shërbimi përmban kushtet formale të një marrëveshjeje. Prandaj, kushtet e parashikuara duhet të jenë të qarta në mënyrë që të shmangen keqinterpertimet dhe kontrata të jetë plotësisht e zbatueshme. Për këto arsye, një Kontratë Shërbimi duhet të përmbajë:
Të dhënat e palëve
Përshkrimi i shërbimeve që do të ofrohen
Afati kohor i ofrimit të shërbimeve
Informacione mbi pagesat, si p.sh. sa duhet të paguhet dhe kur
Skema e pagesës së shumës së transaksionit
Rastet e dëmshpërblimit dhe garancitë
Kohëzgjatja e kontratës
Të drejtat e pronësisë mbi produktin final, nëse është e rëndësishme
Referimin në një marrëveshje konfidencialiteti,(opsionale)
Datat ndërmjet së cilave do të zbatohet marrëveshja
Çfarë përbën shkelje të kontratës
Dispozita mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve
Ligjin e aplikueshëm
Nënshkrimet e të dyja palëve
Cili është objekt i Kontratës së Shërbimit?
Kontratat e Shërbimit, zakonisht, kanë si objekt ofrimin e këtyre shërbimeve:
Shërbime ligjore
Shërbime software-ike
Shërbime financiare
Shërbime biznesi
Shërbime marketingu
Për shërbimet e drejtpërdrejta, - si për shembull, angazhimi i një profesionisti për t’ju ndërtuar faqen e internetit - këshillohet që përshkrimi i shërbimeve të bëhet në mënyrë të detajuar.
Në raste të tjera kur vetë lloji i shërbimeve e bën më të vështirë përshkrimin e tyre në mënyrë të detajuar, si për shembull, angazhimi i një profesionisti për të ndërtuar, mirëmbajtur dhe shkruar përmbajtjen e faqes suaj të internetit; palët mund të parashikojnë më shumë dispozita për përshkrimin e shërbimeve, si për shembull natyrën e përmbajtjes së informacionit dhe frekuencën e postimeve.
Cila palë duhet ta nënshkruajë e para kontratën e shërbimit?
Zakonisht, pala që ofron shërbimet (Ofruesi) është ajo që e nënshkruan e para kontratën. Megjithatë, nuk ka rëndësi të veçantë radha sipas së cilës nënshkruhet kontrata, përveçse kur bëhen ndryshime në përmbajtjen e saj.
Ndryshimet në një kontratë duhen bërë përpara se njëra nga palët ta nënshkruajë atë. Në rast se vendosni të bëni ndryshime në kontratë, ju duhet të njoftoni palën tjetër dhe të merrni pëlqimin paraprak për këtë veprim, në mënyrë që ndryshimet të reflektohen përpara nënshkrimit nga të dyja palët.
A mund të ndryshojë pagesa e shërbimit?
Palët mund të parashikojnë rastet dhe situatat që mund të sjellin ndryshimin e tarifës së shërbimit. Megjithatë, këshillohet që të parashikohet një tavan minimal dhe maksimal tarifash.
A mund të kufizohet përgjegjësia?
Palët mund ta kufizojnë përgjegjësinë ligjore, në varësi të kushteve që parashikojnë për situatat që mund t’i ngarkojnë me përgjegjësi ligjore.
Si mund të përfundojë kontrata?
Kontrata mund të përfundojë në rast se palët nuk përmbushin detyrimet kontraktore, pavarësisht njoftimit me shkrim për përfundimin e kontratës apo shkeljes së detyrimeve kontraktore.
Çfarë e shkakton pavlefshmërinë e një Kontrate Shërbimi?
Kontrata e Shërbimit do të jetë e pavlefshme nëse:
Nenet e saj vijnë në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese të ligjit;
Kryhet për të mashtruar ligjin;
Kryhet nga të mitur nën moshën katërmbëdhjetë vjeç;
Bëhet me marrëveshje të palëve pa patur për qëllim që të sjelli pasoja juridike (fiktive ose të simuluara)